Gjithçka çfarë bëri Vjosa Osmani në një vit bllokade politike ishte një shërbim për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo, tani pasi partneri i dikurshëm zyrtar politik ka siguruar votat e mjaftueshme për ta formuar vetë Qeverinë, po synon edhe një mandat në zyrën që do të duhej të përfaqësonte unitetin qytetar.
Por, jo vetëm viti i fundit, por e gjithë historia pesëvjeçare e Osmanit si Presidente e vendit është parë me kritika si një rrugëtim me qasje të anshme në favor të pushtetit të Kurtit.
Këtë e ka dëshmuar në veçanti ky vit, kur beteja politike, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese, detyroi qytetarët të shkojnë edhe një herë te kutitë e votimit.
Krejt befasisht, Osmani vendosi që dy herë ta mandatojë Vetëvendosjen për të formuar Qeverinë, ani pse kishte argumentin e fortë se kjo parti nuk i kishte numrat.
Por, Osmani thoshte se e kishin bindur që, pas Kurtit që s’i kishte numrat, ata mund t’i siguronte Glauk Konjufca.
Dhe kur edhe ndodhi siç pritej, me njëfarë takimi farsë konsultativ, për dallim nga propozimet e partive opozitare, ajo vendosi datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor – të cilën e kërkonte Vetëvendosje.
Qëllimi ishte i qartë që nga fillimi – të mundësohej një terren votash me ardhjen e diasporës me pushime në Kosovë, te e cila shtrirja e mbështetjes dominon për Vetëvendosjen.
Qysh nga fillimi i detyrës, Osmani u shqua për veprime të kontestuara e të motivuara politikisht për interesa të Kurtit.
Ajo shkarkoi Kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, një akt që u pa i paarsyetueshëm, por edhe me shkelje kushtetuese.
Ishte në të njëjtën linjë me Kurtin kur nuk dekretoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Gazetarët ishin cak i sulmeve dhe kërcënimeve gjatë qeverisë së Kurtit, por Osmani nuk mbahet mend të ketë reaguar vazhdimisht në mbrojtje të fjalës së lirë.
Për më shumë, vetë ajo dhe bashkëshorti i saj hynë në vallen e sulmeve ndaj gazetarëve, duke i lidhur me terroristin Milan Radoiçiq apo duke i cilësuar si ndërmarrje kriminale vetëm e vetëm pse raportonin për shpenzimet e tyre nga paraja publike.
Heshti dhe arsyetoi sulmet e Vetëvendosjes ndaj gjyqtareve tw Gjykatës Kushtetuese me epitete të ndryshme.
Nuk tha asnjë fjalë kur Kryeministri sulmoi prokurorinë dhe gjykatat vetëm pse ato hetonin raste korrupsioni në qeverinë e tij.
Nuk e tha asnjë fjalë për shembullin e keq të Kryeministrit, kur refuzonte të shkonte të dëshmonte në prokurori për skandalin e rezervave shtetërore.
Nuk e tha asnjë fjalë as kur Gjykata Supreme konstatoi se vendimet e ministrave në detyrë përbënin shkelje ligjore dhe, edhe përkundër kësaj, ata vazhduan ta bënin të njëjtën gjë.
Gjatë gjithë mandatit, përjashto muajve të fundit, kur po e ndiente fundin e mandatit mes dëshirës për një rizgjedhje, nisi të përmendë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe krerët e saj që po gjykohen në Hagë.
Por, me gjithë këtë histori, ajo po konsideron se përfaqëson një vullnet qytetar që të jetë në krye të shtetit edhe për pesë vjet.
Vullneti qytetar formal nuk ka folur për punën e saj. Ajo nuk ishte në garë.
Por, nëse ajo konsideron se vota për Vetëvendosjen është votë edhe për të, atëherë i takon kjo pozitë.
Në këtë rast, ajo nuk është dhe nuk do të ishte simbol i unitetit, por një shërbim i radhës për pushtetin.








