Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka pushtetin, vazhdimisht e mban bajrakun se ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe në maje të gjuhës e ka kritikën për të gjithë ata që votuan pro themelimit të saj.

Por, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Greg Delawie, tregon një realitet krejt tjetër.

Në një intervistë për Mark Tauber, si pjesë e projektit Foreign Affairs Oral History Project të Association for Diplomatic Studies and Training (ADST), Delawie kishte folur për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, e cila kishte dështuar në fund të vitit 2017.

“…U takova me njerëz të tjerë nga Kuvendi, përfshirë parti që përgjithësisht kundërshtonin gjërat që dëshironin Shtetet e Bashkuara, por për Gjykatën Speciale ishin të kënaqur, sepse mendonin se e dinin se kush do të ndiqej penalisht. Ata donin që kundërshtarët e tyre politikë të ndiqeshin penalisht…”, thotë ish-diplomati amerikan.

Në kohën kur ishte ndërmarrë hapi për zhbërjen e Gjykatës Speciale, dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin refuzuar që t’i bashkohen kësaj iniciative, çka kishte bërë që e njëjta të dështonte.

Më 23 dhjetor të vitit 2017, deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur për një seancë të jashtëzakonshme.

Atë natë, tentohej që të votohej shfuqizimi i Ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale, një iniciativë e ndërmarrë një natë më parë.

Po të shfuqizohej ky ligj, do të zhbëhej komplet edhe Gjykata Speciale, e cila aktualisht gjykon krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Por, kjo iniciativë kurrë nuk kishte dalur në votim, për shkak se VV dhe LDK kishin mbajtur qëndrim kundër.

Gjykata Speciale u themelua nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015.

Nga VV, së fundmi kanë thënë se kanë protestuar e hedhur vezë në Kuvend kundër Gjykatës Speciale, por kjo nuk është e vërtetë.