“Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti”, ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Këto komente, Haradinaj i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që u zbulua se dronët ushtarakë që u tentuan që të paraqiteshin si të prodhuara në Kosovë nga kompania “Future Minds Academy”, me pronar Ridvan Aliun, ishin video të testimit të dronëve nga disa kompanive kineze.
Në përurimin e gjoja dronëve ushtarakë kishte marrë pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti, në nëntor të vitit të kaluar. “Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak “Skifteri” dhe dronët civil, nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR”, shkruante Kurti në atë kohë.
Tani që u zbulua ky mashtrim dhe se nuk bëhet fare fjalë për dronë të prodhuar në Kosovë, por për një mashtrim, Haradinaj thotë se “etja për foto dhe showbiz është mania e këtij pushteti”.
“Kur do të ndaleni një herë o të mjerë!”, potencoi ai.









