Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësime serioze për faturimin e energjisë elektrike, duke deklaruar se qytetarët po paguajnë më shtrenjtë edhe gjatë orëve kur supozohet të vlejë tarifa e ulët.
Në një konferencë për media, Azemi ka prezantuar disa njehësorë dhe të dhëna konkrete, për të cilat thotë se dëshmojnë “çakordimin e sistemit të faturimit”.
“Në orën 10 në mbrëmje gjatë muajve të dimrit supozohet që qytetarët e Kosovës me përdor tarifën e ulët të energjisë elektrike… tu mendu që po faturohemi me të lirën, realisht energjinë jemi tu e pagu me të shtrenjtën”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, dallimi mes tarifës së ulët dhe asaj të lartë është i konsiderueshëm.
“Dallimi në çmim… është 6 e sa centë me të lirën dhe 13 centë me të shtrenjtën, pra ka një dallim diku prej 112% rritje. Pra ky është një mashtrim”, është shprehur Azemi.
Ai ka theksuar se në njehësorë vërehen dallime të mëdha kohore në aplikimin e tarifave.
“I shihni katër njehësorë, varion dallimi 2 orë e 8 minuta në të parin, 3 orë e gjysmë, 7 orë e gjysmë… por ka edhe raste kur kjo diferencë shkon në 15 orë”, ka thënë ai.
Azemi ka kritikuar edhe thirrjet e mëhershme të institucioneve për kursim të energjisë gjatë natës, duke përmendur edhe Artane Rizvanolli.
“Janë bërë thirrje që të përdorim energjinë natën duke mendu që po kursejmë… realisht çka ka ndodhë? Ka ndodhë që i tërë ky sistem të rezultojë në një skemë të menduar e cila i ka penalizuar qytetarët”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, kjo situatë përbën “disbalancë dhe çakordim të plotë të sistemit të faturimit të energjisë elektrike” dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Për këtë skandal siç e quan Azemi, kërkohet edhe dorëheqja e bordit të ZRRE-së dhe hetim penal.
“Pra, këtu duhet me kërkua një përgjegjësi, sepse po shohim qartë që qytetari nuk paska abuzue, paska abuzua KEDS-i në këtë rast. Dhe KEDS-in e monitoron dikush: Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që është bashkëfajtore në këtë mashtrim. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kërkojmë që të ketë hetim të pavarur, forenzik madje, dhe auditim të sistemit të faturimit të KEDS-it, me parë se sa është e madhe kjo humbje, sa duhet me e ditë qytetarët se sa para kanë paguar në formë jo të ligjshme në faturat e energjisë elektrike. Duhet dhe po kërkojmë tërheqjen e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sepse këta kanë dështue me implementue vendimet e tyre, ligjet e Republikës së Kosovës, kodin e faturimit dhe kanë dështue me mbrojtë interesin e qytetarit.” tha Azemi.








