Para se të jetë një zgjidhje e dëshpëruar e minutave të fundit në mungesë të një kandidati më të mirë, kandidatura e Hajrullah Çekos është shprehja më e kulluar e filozofisë qeverisëse të VV-së.
Kur para disa vitesh Albin Kurti e hartoi planin e marrjes së pushtetit pa kursyer asnjë mjet, prej njollosjes së çdo kundërshtari politik nëpërmjet thashethemeve e deri tek organizimi ilegal për të kryer sulme të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore, me dorën e vet ai shkroi: “Ne e kemi fituar qeverisjen në Prishtinë edhe pse kemi folur përgjithësisht vetëm për qytetarin e Prishtinës me gjuhën e mënyrën e tij”.
Me fjalë të tjera, më i rëndësishëm se komunikimi burimor me qytetarë dhe angazhimi programatik për zhvillim të kryeqendrës ishte korrja e votave nëpërmjet një iluzioni të këndshëm optik me një kandidat si Shpend Ahmeti, i cili me demek vjen nga zemra e prishtinalive, bartës i virtyteve qytetare, i mbrujtur me kulturë institucionale, djalë i shkolluar jashtë e profesor në AUK.
Rezultati i këtij eksperimenti politiko-kriminalo-propagandistik nga 2013 deri në 2021 dihet katërcipërisht nga i madh e i vogël: qeverisja më e keqe e mundshme në historinë e kryeqytetit. Kreu i kësaj skeme kriminale, Shpend Ahmeti, në shkatërrimin e pakthyeshëm të kryeqytetit duket se ka humbur në fund të koshit të shpërdoruesve të VV-së, ndërsa banda e ish-drejtorëve të tyre, nga Sveçla, Aliu, Vitia e Durmishi, e lanë gjurmën e tyre në punën e kapjes së shtetit nga ana e VV-së në krye të ministrive përkatëse.
Ndryshe prej premtimeve fillestare se VV-ja do të bëhet bartëse e ndryshimeve rrënjësore, një sajesë politike në të cilën u ngulën fort shumica dërmuese e qytetarëve të Prishtinës, ajo sot nuk përfaqëson asgjë më shumë se një organizim politik në funksion të shfrytëzimit pa skrupuj të resurseve shtetërore.
Çka ka lidhje krejt kjo me një kandidat të mefshtë i cili duket qartë se nuk merr vesh asgjë prej punëve komunale si puna e Hajrullah Çekut, edhe pse me master në qeverisje lokale? Sepse pikërisht prapa butësisë së tij në dukje fshihet kërcënimi monstruoz i përsëritjes së një kapitulli politik në Prishtinë, ku paaftësia qeverisëse e keqpërdorimi i pafre ndërlidhen në trajtën më të shëmtuar të mundshme.
Hajrullah Çeku shpalosi kinse-platformën e tij të mbështetur në tri shtylla themelore: 1. Zhvillim ekonomik, 2. Qytet funksional, 3. Barazi sociale.
Shtylla 1: Sa i përket zhvillimit ekonomik, dëgjojeni Hajrullah Çekun vetë. E dhimbshme apo jo? Një shtjellim i tillë është amatori e pashembullt edhe me standardet më filloreske të mundshme. Kjo tregon se kandidati i partisë më të madhe në Prishtinë ka vendosur sall ta marrë pushtetin me fjali krejtësisht të përgjithshme, pa asnjë platformë konkrete komunale, me mbështetje të resurseve shtetërore të Albin Kurtit dhe aradhave partizane të VV-së, të cilat nuk çajnë trapin për fatin e kryeqytetit kur vjen puna te lufta e tyre për pushtet. Për më keq, ky vajtim me lot krokodili për ekonominë e kryeqytetit e shpërfaq lakuriq edhe krejt rrenën e madhe të VV-së për rritjen e hovshme ekonomike që kur ata u ulën në kolltukët e pushtetit. E keni parë çdo ditë Hekuran Murati na flet për zhvillimin e hovshëm ekonomik, kurse tash Hajrullah Çeku befasisht na tregon si po vdesim urie.
Shtylla 2: Sa i përket qytetit funksional, dëgjojeni Hajrullah Çekun edhe pak. Po, pra, lidhur me një prej brengave kryesore të qytetarëve, si puna e trafikut të stërngarkuar, e për një prej shtyllave themelore të programit të tij, Hajrullahu i shpërblimeve të anëtarëve të partisë dhe satelitëve të tyre politikë nuk është në gjendje ta përmendë, e lëre më ta zbatojë, asnjë projekt konkret. Se që veturat na marrin kohën, na e ndotin ajrin dhe na lodhin çdo ditë, këtë e dinë edhe fëmijët parashkollorë që Qeveria e tij i ka lënë pa kopshte. Një ligjërim i tillë nuk është vetëm mungesë totale e idesë për zhvillim të qytetit, por edhe ofendim i krejt qytetarëve të Prishtinës. Kurse, në të vetmen pikë që Çeku flet diçka me lidhje për zgjidhjen e problemit të trafikut, sikurse ndërtimi i unazës së jashtme, ai efektivisht bën plagjiat të plotë prej qëndrimeve të stërpërsëritura nga Përparim Rama.
Shtylla e 3: Sa i përket barazisë sociale, pa merak, se nuk do ta marr kohën tuaj edhe me një deklaratë boshe, sepse të gjithë keni dëgjuar muhabete elektorale pa projekte konkrete për tema si zvogëlimi i pabarazive mes lagjeve. Mos të harrojmë se Çeku nuk është vetëm një mendje e cekët e një mashë politike e Albin Kurtit. Zbrazëtia e tij kur vjen puna në çështje komunale nuk duhet ta mashtrojë askënd, sepse përgjatë krejt mandatit të tij në krye të Ministrisë së Kulturës ai i ka kryer marifetet më të rryera të korrupsionit për ta shtrirë rrjetën e dendur të ndikimit personal, shoqëror e politik.
Kushdo që e ha në sy butësinë e këtij njeriu, mos të harrojë se me këtë amatori kolosale e me këto mashtrime ordinere, Hajrullahu i pazareve me lekët e kulturës e ka bërë publik krejtësisht qëllimin e tij për ndenjën në krye të Prishtinës deri në 2035. Pra, një njeri i cili asnjë punë kapitale në shërbim të kryeqytetit nuk mund ta përmendë konkretisht, kërkon paraprakisht pushtet më shumë se një dekadë në krye të komunës.
Larg së qenuri një budallak i rrallë, kjo është shprehje e filozofisë së Albin Kurtit për të qëndruar në pushtet me çdo kusht dhe pa kufizime ligjore. Kur VV ishte në opozitë, marrja e komunës së Prishtinës shërbeu jo për zhvillim të kryeqytetit, por u shfrytëzua ekskluzivisht si një trampolinë për t’u zhvilluar në nivel nacional. Tani që VV-ja është në rënie politike, kur u shpërfaq fytyra e saj e vërtetë, marrja e Prishtinës nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e kryeqytetit, por vetëm për t’u shfrytëzuar si një aset i vlefshëm me resurse të bollshme për të shtrirë ndikim elektoral e për të krijuar klientela të reja politike.
Pra, Hajrullah Çeku është vetëm një personazh tjetër i një episode të trishtë, të cilën Prishtina e ka parë me VV-në për dy mandate në komunë e krejt Kosovën me Qeverinë Kurti 1, 2, me një regjisor kriminal, i cili prej kohësh kishte ideuar politikën e manipulimit të qytetarëve të Prishtinës për t’ua marrë votën me gjuhën e tyre, pa i dhënë pesë pare se ku fundoset Prishtina të nesërmen e pushtetit të tij.








