Ministrja e Ekonomisë, Artanja Rizvanolli deklaroi këtë të premte të 26 qershorit se Kosova ka zgjedhur qymyrin në vend të gazit të lëngshëm natyror, të shumëkërkuar nga zyrtarë amerikanë.

“Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike ose para gazit amerikan siç po aludohet. Përkundrazi, ne kemi zgjedhur thëngjillin”, deklaroi Rizvanolli.

Por, Vetëvendosje e kishte kundërshtuar projektin për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, pikërisht pse funksiononte me thëngjill. Në një video të Kallxo.com të datës 4 tetor, një duzinë akterësh politikë të Vetëvendosjes përgjigjen “kundër”, kur pyeten nëse janë për apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr.