Gojëdhëna thotë se kur Albin Kurti ka qenë i vogël i kanë pëlqyer shumë trenat.
“I kam diku me qindra vizatime si fëmijë dhe prej atyre vizatimeve shumica dërrmuese janë trena, trena të ndryshëm.” Deklaronte Kurti.
Thuhet se ka qenë krejt i magjepsur pas trenave.
“Kam qenë tejet i fikësuar pas trenave.” Vazhdonte Kurti.
Flitet se ka pasur dashuri të paarsyeshme për këtë copë të madhe metalike që lëvizë në trajektore të përcaktuar.
“Çdo herë kur kemi kaluar afër hekurudhës me prindërit është dashur që të ndalen për shkak të insistimit tim irracional që ta presim trenin kur kalon.” Thoshte Kurti.
Mirë që Albin Kurti ka qenë fëmijë i viteve 80 dhe ka mundur ta shohë trenin tek kalon. Tek lëvizë. Po të ishte fëmijë i vitit 2026 do t’i linte prindërit të ngrinin pranë hekurudhave, sepse trenat nëpër hekurudhat e Kosovës nuk kalojnë dot më.
Dhe ka një ironi të hidhur këtu, pasi një nga arsyet kryesore pse sistemi hekurudhor në Kosovë ka kolapsuar krejtësisht është vetë ai.
Fëmija i fascinuar me trenat.
“Për çdo vit e më shumë po degradon gjendja, nuk ka interes qeveria fare, asnjëherë nuk është marrë me hekurudhën, edhe pse ka deklaruar se do të jetë vit i hekurudhave, nuk është bërë kurgjo, s’ka mbikëqyrje e s’ka investime…” deklaron Hysen Nikçi nga Infrakos.
Prej 9 nëntorit trena më në Kosovë nuk do të qarkullojnë fare. Sepse s’ka kushte. As për trenat, as për njerëzit që operojnë me trena.
“Ka muaj që sindikatat kanë dërguar shkresa te ministria, asnjëherë nuk është marrë ndonjë përgjigje… Nuk ka pas asnjë rezultat, asnjë shkresë apo thirrje për takim… Si pasojë e saj do të ndalet edhe qarkullimi i trenit… Nuk qarkullon.” thotë Nikçi.
Kjo na ndodhi, sepse fëmija i atëhershëm që adhuronte trenat e këmbeu adhurimin e trenave për adhurimin e rrenave.
“Mandati i ardhshëm është mandat i hekurudhave…”
Albin Kurti i rritur është prapë i fascinuar, por tash nga trajektorja e paracaktuar e mashtrimit të tij.
“Hekurudha shumë e rëndësishme është Prishtinë-Durrës e më pas uroj të vazhdojmë deri në Sarandë”.
Si mund të gënjejë njeriu kështu?
“Gjithashtu hekurudha që e lidhë Aeroportin me kryeqytetin Prishtinën…”
Derisa ky flet për infrastrukturën moderne të rrugëve që lidhin krejt Kosovën me hekurudha, në ndërkohë stacioni kryesor i trenave në Kosovë duket kështu.
Një vend i braktisur me pamje që ngjajnë në imagjinatën e regjisorëve të filmave me situata pas-apokaliptike.
Çfarë do të duhej të mendonte dikush i rritur kur dëgjon premtimet e Kurtit për hekurudhën moderne me linjat që do të shtoheshin dhe krahasimin me situatën ku mbyllën edhe linjat ekzistuese në hekurudhën që jeton në shekullin e kaluar?
A i kujtohet Albin Kurtit çfarë ka premtuar kur i sheh punëtorët në grevë e trenat e bllokuar në stacion?
Apo s’i intereson, sepse ai është i bindur që rrena e tij e përmbysë pamjen para syve të njerëzve?
Dhe ai vazhdon e rren, derisa ne vazhdojmë e i vuajmë pasojat e rrenave të tij, që ndryshe nga trenat, s’po ndalen.








