Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese rrëzohen pretendimet e Kryeministrit Albin Kurti lidhur me nisjen e afatit 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, duke sqaruar përfundimisht se ky afat nuk fillon nga 5 marsi siç pretendonte i njejti.

Në një konferencë për media, Kurti kishte insistuar se procedura kishte nisur më 5 mars, duke argumentuar se nuk ishte përmbushur ende afati kushtetues.

“Kushtetuta pra parashikon mekanizmin pra të nenit 82 paragrafi 3, i cili vendos kufirin maksimal, prej 60 ditësh nga fillimi i procedurës. E nëse Brenda këtij afati Presidenti nuk zgjedhet, atëherë krijohet baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve. E ju e dini që sot është data 6 mars, nuk është data 5 maj, po të ishte data 5 maj, atëherë do të ishte e arsyeshme që filloi procesi i zgjedhjes së Presidentit u përmbus kriteri i garës Glauk Konjufca- Fatmire Mulhaxha Kollçaku, 60 ditë nuk arritët që ta zgjedhni. Filluat me datën 5 mars ja ku jemi te data 5 maj dhe rrjedhimisht shpërndahet Kuvendi. Mirëpo nuk jemi pas datës 5 mars në 5 maj, pas datës 5 mars sot jemi në 6 mars, dhe nuk është pëmbushur kriteri prej 60 ditësh.” Kishte deklaruar Kurti

Megjithatë, në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një interpretim tjetër. Sipas saj, në një lexim strikt të Kushtetutës, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit do të duhej të fillonte 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Por, për të shmangur një ngërç institucional, Gjykata ka bërë një kompromis interpretues, duke vendosur që ky afat të llogaritet nga momenti i konstituimit të Kuvendit, konkretisht nga 11 shkurti.

Kjo nënkupton se afati 60-ditor tashmë është në rrjedhë prej asaj date, dhe aktualisht kanë mbetur edhe 34 ditë për zgjedhjen e Presidentit me mundësinë që kjo Gjykatë ia dha Kuvendit.