“…Strukturave ilegale, institucioneve paralele të Serbisë, që ne i mbyllëm, i eliminuam, i shporrëm cep më cep”, kështu deklaronte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 31 janar 2025 në tubimin elektoral në Gjakovë, para se sot, këtë të shtunë të 14 marsit, t’i legalizonte dokumentet që këto institucione lëshojnë në Kosovë.

“Së paku gjysmë miliardi euro nga partneriteti publiko-privat. Tash, që e kontrollojmë ne dhe e kemi fiskalizuar ne, për dallim prej kohërave të më hershme, kur kontrollohej e përfitohej prej saj, prej strukturave ilegale, institucioneve paralele të Serbisë, që ne i mbyllëm, i eliminuam, i shporrëm cep më cep”, deklaronte atë botë kandidati për 500 mijë zemra të popullit të Kosovës.

Pas takimit të sotëm të Kurtit me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, u bë e ditur se ekzekutivi i Kosovës ka vendosur të lirojë qytetarët serbë në Kosovë nga obligimet që rrjedhin prej Ligjit për të huaj, duke u mundësuar leje qëndrimi dhe pune edhe për 12 muaj si dhe duke ua njohur dokumentet e institucioneve të tyrë paralele për t’u faktuar në regjistrin civil te Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet përdorimi ID kartës, ekskluzivisht si mjet identifikimi, të lëshuar nga strukturat jolegale”, deklaroi Kurti të shtunën në mëngjes.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare, për vite me radhë ishte decisivisht kundër marrëveshjeve, kompromiseve e madje edhe negociatave me Serbinë, duke u njohur, sidomos, për banderolën e famshme “Jo Negociata, Vetëvendosje”.