Bunjamin Jashanica është një fermer nga Lipjani, të cilit akoma nuk i janë ekzekutuar të hollat që i ka fituar si subvencione.
Janë edhe mijëra fermerë të tjerë që janë zhytur në borxhe, duke besuar se ato do t’i shlyenin me paratë që i marrin si subvencione nga Ministria e Bujqësisë.
Por, atyre paratë nuk u janë dalur në llogari edhe pse procesi është mbyllur muaj më parë.
Për më tepër, askush nuk ua thotë se kur do t’i marrin paratë që supozohej t’i merrnin qysh në muajin shtator.
Pakënaqësia e tyre po shpërfaqet hapur edhe në rrjetet sociale.
Faqja zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë në Facebook është vërshuar nga komentet e fermerëve, të cilët shprehin frustrimin e tyre dhe kërkojnë që mjetet të iu alokohen në llogaritë e tyre.
Nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e kanë pranuar se nuk ua kanë dhënë akoma fermerëve mjetet që u takojnë.
Fatkeqësia është se nuk ka akoma një datë: kur përfundon pritja?
Kur, fermerët, mbi 4 mijë të tillë, do të mund të dalin nga borxhet në të cilat u futën me shpresën se i mbulojnë nga subvencionet të cilat i kanë fituar?