Paratë e taksapaguesve kosovarë, të ndara përmes granteve nga Ministria e Bujqësisë, përfunduan në një skemë keqpërdorimi që lidhet drejtpërdrejt me deputetin e ri të Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, përmes kompanisë së tij dhe rrethit familjar të tij, “Doni Fruits Sh.P.K”.
Në vitin 2021, kjo firmë u shpall përfituese e një granti prej plot 395 mijë euro nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë. Më 4 mars të po atij viti, nga buxheti i shtetit në llogarinë e saj transferohen 98 mijë e 765 euro si avans, mbi bazën e pretendimit se investimet e kërkuara tashmë ishin realizuar.
Por realiteti rezulton krejt tjetër.
Pas një inspektimi zyrtar, konstatohet se punët për të cilat janë marrë paratë nuk janë kryer. Pra, fondet publike janë tërhequr pa mbulim real në terren. Si pasojë, Agjencia detyrohet të ndërhyjë me masa ndëshkuese.
Më 8 gusht 2022, përmes një vendimi zyrtar të siguruar nga VOX Kosova, kompanisë “Doni Fruits” i kërkohet kthimi i mjeteve të përfituara padrejtësisht.
Por përgjigja mungon. Paratë nuk kthehen.
Nuk përfundon me kaq.
Për shkak të parregullsive dhe moskthimit të mjeteve, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e përjashton për tre vite nga çdo program mbështetës kompaninë e Ahmetit.
Nëse këto para janë kthyer pas ndëshkimit nga shteti apo nëse për këtë është njoftuar Prokuroria nuk dihet, pasi as kompania e as Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, VOX Kosovës nuk i kthyen përgjigje.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një skemë e ngjashme del në pah edhe jashtë Kosovës.
Në Shqipëri, mediat raportojnë se i njëjti deputet, përmes po të njëjtës kompani, ka keqpërdorur rreth 1.2 milionë euro grante, mjete që tashmë shteti shqiptar po kërkon t’ia kthejë.
Një histori që nuk flet më vetëm për dyshime, por për një model të përsëritur të keqshfrytëzimit të parasë publike.
Dhe për befasinë e askujt, akterët janë nga i njëjti kamp politik.








