Meta do të shkurtojë mijëra vende pune muajin e ardhshëm, ndërsa po shpenzon më shumë se kurrë për projektet e inteligjencës artificiale (AI).

Kompania u tha punonjësve në një memorandum të enjten se planifikon të shkurtojë 10% të fuqisë së saj punëtore, që nominalisht i bie rreth 8,000 punonjës. Ajo gjithashtu njoftoi se nuk do të plotësojë mijëra vende të tjera pune të hapura për të cilat kishte nisur rekrutimin.

Një arsye kryesore për këto largime nga puna është rritja e shpenzimeve të Meta-s në fusha të tjera të kompanisë, përfshirë AI-në, për të cilën këtë vit do të shpenzojë 135 miliardë dollarë. Kjo është afërsisht e barabartë me shumën që ka shpenzuar për AI gjatë tre viteve të fundit së bashku, sipas një personi që ka parë memorandumin.

Një zëdhënës i Meta-s konfirmoi planet për shkurtime, por nuk dha komente të tjera.

Mark Zuckerberg, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë, kishte paralajmëruar publikisht në janar se kompania do të bënte shkurtime të tjera këtë vit.

Shefi i Meta-s tha se kishte vënë re se sa më produktivë janë bërë punonjësit që mbështeten fuqishëm në mjetet e AI-së, duke theksuar se një person i vetëm tani mund të përfundojë projekte që më parë kërkonin një ekip të madh.

“Mendoj se viti 2026 do të jetë viti kur AI do të fillojë të ndryshojë në mënyrë dramatike mënyrën se si punojmë”, tha Zuckerberg.

Javën e kaluar, agjencia Reuters raportoi se Meta planifikon të shkurtojë potencialisht më shumë se 10,000 punonjës këtë vit. Memorandumi për punonjësit u raportua fillimisht nga Bloomberg.

Edhe pse Meta ka shkurtuar tashmë rreth 2,000 punonjës në dy valë më të vogla këtë vit, punonjësit kishin javë që prisnin një valë shumë më të madhe largimesh.

Fokusi dhe shpenzimet e brendshme të Meta-s janë zhvendosur fuqishëm muajt e fundit drejt zhvillimit të modeleve dhe mjeteve të AI-së.

Kompania këtë javë u njoftoi punonjësve se do të fillojë të gjurmojë dhe regjistrojë ndërveprimet e tyre me kompjuterët e punës për të ndihmuar në trajnimin dhe përmirësimin e modeleve të saj të AI-së — një lëvizje që një punonjës e quajti “distopike”, duke pasur parasysh shkurtimet e afërta.

“Kjo kompani është bërë e fiksuar pas AI-së”, i tha ai BBC-së.

Që nga viti 2022, Meta ka realizuar disa raunde shkurtimesh, duke larguar dhjetëra mijëra punonjës.

Megjithatë, kompania kishte filluar sërish të punësonte, dhe vitin e kaluar numri total i punonjësve dukej se ishte afërsisht në të njëjtin nivel si para valës së parë të shkurtimeve.

Shkurtimet e ardhshme do të jenë më të mëdhatë që nga viti 2023.

Edhe kompani të tjera teknologjike, të cilat gjithashtu po shpenzojnë shuma të mëdha për ndërtimin e mjeteve dhe infrastrukturës së AI-së, kanë ndërmarrë shkurtime të mëdha këtë vit.

Amazon ka larguar mbi 30,000 punonjës. Oracle ka larguar mbi 10,000.

Block, një kompani më e vogël teknologjike, ka shkurtuar pothuajse gjysmën e stafit të saj — mbi 4,000 punonjës. Ndërsa Snapchat ka larguar rreth 1,000 punonjës.

Microsoft u tha punonjësve se do t’u ofrojë mijëra prej tyre paketa daljeje vullnetare nga puna.

Pothuajse të gjitha këto kompani kanë përmendur rritjen e kapaciteteve të AI-së ose investimet në të si arsye për nevojën për më pak punonjës.