Policia e Kosovës ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit (këtë të diel), duke ndërmarrë masa shtesë me qëllim garantimin e zhvillimit të sigurt të procesit zgjedhor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vlerësoi se fushata zgjedhore deri më tani është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas Policisë, fokusi kryesor i angazhimeve operative do të jetë ruajtja e rendit publik, siguria e qendrave të votimit dhe garantimi i ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët.

“Në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 7 qershorit, Policia e Kosovës ka mbajtur sot takime informuese dhe koordinuese me strukturat e saj drejtuese, si dhe me përfaqësues të institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare”, njoftoi Policia e Kosovës.