Fatmir Limaj, Kryetar i Nismës Socialdemokrate, i ka ftuar shqiptarët nga të gjitha trojet që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, shqiptarë nga të gjitha trojet, kudo që jeni, ju ftoj që t’i bashkoheni marshimit, protestës, më 12 shtator, në ora 14:00, në Prishtinë, në mbështetje dhe në pritje të lirimit të çlirimtarëve tanë të cilët po mbahen në Hagë”, tha Limaj në një video-adresim të publikuar në Facebook.
Ai theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi “janë vetë liria dhe shteti i Kosovës”.
“Kokën lartë e krenarë për ata burra për atë çfarë përfaqësojnë. Ata janë vetë liria dhe shteti i Kosovës. Prandaj, të gjithë së bashku në pritje të lirimit të bashkëluftëtarëve tanë”, shtoi ai.
“Marshi për Liri” do të mbahet katër ditë para se Gjykata Speciale të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria e Speciales i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për krime të pretenduar lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga ta.
Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.









