“Marshi për Liri” tashmë ka marrë dhenë në sheshet e Prishtinës.

Qindra qytetarë kanë dalë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët njëzëri po bëjnë thirrje për drejtësi nga Haga.

Ndërkohë, përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, në fjalimet e tyre gjatë “Marshit për Liri” në Prishtinë, natyrshëm i janë bashkuar kësaj thirrjeje.

“Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër, e kemi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kërkush s’na i ka falë, e kërkush s’mundet me na i marrë. Edhe një pyetje: e kush kthehet i fundit nga beteja? Të gjithë e dini, çlirimtarët që i presim në tokën e tyre. Prandaj, të gjithë bashkë këtu, një zëri, në mënyrë edhe simbolike, i shpallim të pafajshëm”, tha Ilir Tasholli nga “Liria Ka Emër”.

E në emër të shoqatave të dala nga lufta, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar proces të drejtë dhe të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se drejtësia nuk duhet të përdoret për rishkrimin e historisë së luftës së Kosovës.

“Jemi mbledhur për të vërtetën e një populli që luftoi për të mbijetuar, për të qenë të lirë dhe për të pasuruar shtetin tonë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e çlirimit të Kosovës dhe dinjitetin e atyre që bartën këtë barrë të rëndë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Drejtësia nuk guxon kurrë të shndërrohet në rishikim të historisë e as ta ndjekë penalisht, në një armë kundër çlirimtarëve tonë. Ne e kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzuar. Kosova nuk ishte vetëm, po kishte mbrapa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe superfuqinë botërore, NATO-n; ishim aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli ynë luftonte për mbijetesë”, tha Hysni Gucati.