Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i ka ftuar qytetarët që të bëhen bashkë në Marshin për Liri, i cili do të mbahet këtë të shtunë, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot është dita që të bëhemi bashkë në Prishtinë. Ju ftoj që në ora 14:00 të mblidhemi në sheshin “Skënderbeu” për të ecur krah për krah në Marshin për Liri”, shkroi Gjini në Facebook.

Aty, theksoi ai, “do të bashkojmë zërin tonë për të përcjellë mesazhin më të mirë e më të fuqishëm që Kosova mund të japë sot në këtë moment të rëndësishëm”.

“Marshi për Liri”, po mbahet katër ditë para 16 shtatorit, ditës kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-së.

Gjykata Speciale i akuzon ata për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.

Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.