Më 15 Tetor nis marshi me motorra nga Prishtina drejt Hagës organizuar nga Platforma “Liria Ka Emër”, ka bërë të ditur aktivisti i kësaj platforme, Ismail Tasholli, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.

Pritet që këtij marshi t’i bashkohen shumë motoristë, pasi siç ka bërë me dije Tasholli marshi do të kalojë nëpër shumë vende të Evropës, motoristët e të cilave do t’i bashkohen karvanit.

Më 17 tetor, marshuesit pritet të mbërrijnë në Cyrih të Zvicrrës nga ku më pas mëngjesin e 18 tetor do të vazhdojnë rrugëtimin për në destinacionin final, në Hagë.

“Ky nuk është vetëm një udhëtim me motorra, por një zë i fuqishëm për lirinë, një thirrje për drejtësie dhe një kujtesë që sakrificat tona nuk harrohen”, ka thënë Tasholli duke u bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen marshit.