Dy asambliste të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Leonora Gërguri dhe Gentiana Rama, janë distancuar nga marrëveshja për koalicion, që kandidati i kësaj partie, Xhafer Tahiri, e nënshkroi sot me Lëvizjen Vetëvendosje për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Tahiri madje u thirr në emër të degës së partisë dhe asamblistëve të LDK-së në Vushtrri.

Por, duket të jetë ndryshe situata.

“Ne, si asambleiste të zgjedhura të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Vushtrri, shprehim publikisht distancimin tonë të plotë nga çdo marrëveshje e bërë pa miratimin dhe pa koordinimin e organeve qendrore të LDK-së”, thuhet në reagimin e asambleisteve.

Sipas tyre, Tahiri i genjeu dhe një fotografi e tyre e përbashkët po keqperdorët.

“Në takimin e mbajtur dje, kërkova qartësisht të di nëse marrëveshja në fjalë është realizuar në bashkërendim me qendrën e partisë dhe me statutin e LDK-së, ku nga kryetari Xhafer Tahiri u pohua se një gjë e tillë është bërë. Fotoja e bërë dje me duar të bashkuara mes asambleistëve po keqpërdoret dhe është realizuar pas një pohimi të rremë se ekzistonte koordinim me qendrën e LDK-së”, thuhet në reagimin e tyre.

“Megjithatë, dua të theksoj me vendosmëri se çdo marrëveshje apo veprim i ndërmarrë jashtë kornizës institucionale të LDK-së, pa miratimin dhe koordinimin e plotë të partisë, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për interesat tona politike. Me respekt, Leonora Gërguri dhe Gentiana Rama asambleiste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë”.