Më tekstin e plotë të marrëveshjes për përfundimin e luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ende të pa bërë publik, po mbretëron konfuzioni rreth asaj se për çfarë saktësisht kishin rënë dakord negociatorët e dy vendeve.

Kishte disa shenja të hershme se rruga përpara nuk do të ishte e lehtë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite do të qëndrojnë në Liban, një qëndrim që me siguri do të irritojë iranianët. Ndërkohë, Irani kundërshtoi pretendimet e administratës Trump se anijet do të mund të kalojnë pa pagesë përmes ngushticës, duke thënë se synon të vendosë “tarifa”, por jo “taksë kalimi”.

Një ceremoni zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes pritet të mbahet të premten në Gjenevë. Zyrtarët amerikanë thanë se aty do të marrin pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit, Steve Witkoff.

Të dielën, Shtetet e Bashkuara dhe Irani nënshkruan një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës disa mujore mes tyre, por vetëm një ditë më vonë zyrtarë nga të dyja palët po jepnin deklarata kontradiktore lidhur me përmbajtjen e saj.

Fokusi i menjëhershëm i marrëveshjes ishte kryesisht ndalimi i sulmeve ushtarake dhe lejimi i rifillimit të lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare jetike për tregtinë globale. Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe iranianë pranuan se diskutimet për mosmarrëveshjet më serioze i kishin shtyrë për një fazë të mëvonshme negociatash.

Marrëveshja nuk duket se përmbush objektivat që Donald Trump kishte vendosur kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën në shkurt: shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, eliminimin e ambicieve të tij bërthamore dhe rrëzimin e udhëheqjes teokratike të vendit.

Nga ana e tij, Netanyahu dukej se u distancua nga marrëveshja dhe la të kuptohej se nuk ndihej i detyruar ta respektonte atë.

“Ky është vendimi i tij”, tha ai, duke iu referuar Trumpit.

Netanyahu bëri të qartë se Izraeli synon të vazhdojë luftën në Liban kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani që nisi sulmet ndaj Izraelit pas shpërthimit të luftës me Iranin.

“Lufta nuk ka përfunduar”, deklaroi ai.

Megjithatë, pavarësisht konfuzionit, lajmi për marrëveshjen ishte mjaftueshëm lehtësues sa që çmimet e naftës ranë ndjeshëm, ndërsa iranianët shprehën optimizëm të kujdesshëm se një luftë që ka vrarë mijëra njerëz mund të marrë fund së shpejti.

Trump tha se marrëveshja do të rikthejë kalimin e sigurt të cisternave të naftës përmes ngushticës që nga e premtja, duke zgjidhur një problem që nuk ekzistonte para se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin luftën. Rikthimi i ngushticës në gjendjen e saj para luftës mund të ulë çmimet e larta të karburanteve në SHBA, një barrë politike për presidentin, por ekspertët thonë se kjo do të kërkojë muaj të tërë.

Pas kësaj, do të nisë një periudhë 60-ditore negociatash për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje. Këto bisedime pritet të jenë komplekse dhe marrëveshja ende mund të dështojë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të hënën se negociatat do të përqendrohen në dy çështje për të cilat asnjëra palë nuk ka treguar gatishmëri të madhe për kompromis: lehtësimin e sanksioneve ekonomike amerikane ndaj Iranit dhe kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.

Sipas tij, bisedimet do të vështirësohen edhe nga “një histori premtimesh të thyera”.

Në një intervistë për CNBC, JD Vance pranoi se administrata Trump ende ka “detaje shumë të rëndësishme për të zgjidhur” në fazën e ardhshme të negociatave.