Pa ndonjë rezultat e me një skenar të parë para disa muajsh përfunduan takimet e së premtes në mes të Kryeministrit në detyrë të Kosovës, njëherit Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me liderët e partive opozitare: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kurti i ftoi në takim partitë opozitare pasi që u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

I pari që i shkoi në takim Kryeministrit ishte Bedri Hazma, Kryetar i PDK-së. Qysh në mëngjes.

Pas takimit, Hamza foli i pari për media dhe e bëri të qartë se partia që ai drejton do të qëndrojë në opozitë, pa treguar shumë detaje se çfarë është biseduar.

“Kemi thanë që Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Është e hapur për të biseduar pa u imponuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Bazuar në diskutimet që i kemi pasë, qëndrimi jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses Kurtit dhe të gjithë atyre që takohen të bisedojnë t’i japin vendit institucione”, tha Hamza.

Sa i përket çështjes së Presidentit, çështje për cka vendi shkoi në zgjedhje të reja, Hamza tha se PDK-ja do ta ketë rolin e vet konstruktiv si parti opozitare, por përgjegjësia kryesore, theksoi ai, bie mbi VV-në.

“Të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV. LVV duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre”, potencoi ai.

Në të majtë Bedri Hamza, në të djathtë Albin Kurti dhe Hekuran Murati.

Pak minuta pas Hamzës, doli edhe Kurti. Ndonëse e quajti “konstruktiv”, ai kumtoi se takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, tha Kurti para mediave.

Për Kurtin, Kosova duhet të ketë një president jopartiak, që, sipas tij, “nuk është pjesë e polemikave të përditshme”. “Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Pra, dikush që nuk është i asnjë partie politike. Dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale. Dikush që ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale e qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit. Kjo është jo ideja jonë e kërkesa jonë, por kjo është fryma e germa e kushtetueses”, shtoi.

Zgjedhja e Presidentit, Kurti theksoi se është “përgjegjësi edhe e partive të tjera politike”, derisa krijimi i Qeverisë “është përgjegjësi e Vetëvendosjes”.

Shumë orë pas Hamzës, dikur në mbrëmje, Kurti, për më shumë se dy orë, e takoi edhe Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Abdixhiku i shkoi në takim Kurtit me një ish-partnere të tij, ish-Presidenten dhe bartësen e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani.

Ngjashëm si me Hamzën, Kurti edhe takimin me Abdixhikun e përshkroi si “konstruktiv” dhe me rezultat të njëjtë: pa marrëveshje.

“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion, apo ndonjë të arritur të cilën do të mund ta ndanim me juve këtu”, deklaroi ai.

Duke treguar për temat që kanë diskutuar, Kurti bëri me dije se kanë folur për të gjithçka, nga Kuvendi e Qeveria e deri te Presidenti.

“Kemi diskutuar edhe për Qeverinë, edhe për Kuvendin, kemi diskutuar edhe për Presidentin për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë”, tha Kurti për gazetarë pas takimit.

Por, fokusi i takimit, Kurti theksoi se kanë qenë “më shumë zhvillimet aktuale politike; orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë”.

Nga ana tjetër, Abdixhiku e bëri të qartë se partia që ai drejton nuk ka votë për marrëveshje që nuk ndihet e përfaqësuar. “Për marrëveshje në të cilën LDK-ja nuk ndihet e përfaqësuar, ose nuk ndihet që vlerat e saj po tregohen, s’kemi asnjë votë, as votën time”, tha ai.

Ai deklaroi se përpjekja e tij është që t’i shmangin zgjedhjet e ardhshme, “sepse s’kemi çfarë t’i arsyetohemi njerëzve tanë, popullit të Kosovës”. “4 palë zgjedhje për një 1 vit e gjysmë, vërtetë është çmenduri politike”.

Kreu i LDK-së potencoi se në takim nuk kanë folur për emra të përveçëm. “Nuk po flasim për poste individuale, ende nuk kemi arritur konsensuse rreth parimeve, por po i diskutojmë dhe po i shtrojmë në mënyrë konstruktive. Dhe besoj që ky është hapi i parë”.

Ditëve në vijim u parlajmërua se do të ketë edhe takime të tjera.

Ftesë për takim ka pasur edhe lideri i Aleancës, Ardian Gjini, mirëpo ai e ka refuzuar, duke thënë se nëse Kurti i përmbush gjashtë kushtet që ata i kanë prezantuar – pranimi i projektit të gazit amerikan njëra ndër to – atëherë do të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin për Presidentin.

Takimet e Kurtit me liderët e opozitës po vinë pasi që KQZ-ja të enjten certifikoi rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës siguroi 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.

Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, Vetëvendosje mund ta formojë Qeverinë, pasi nevojiten 61 vota. Por, zgjedhja e Presidentit është një histori krejt tjetër. Për këtë proces kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në votim, çka e bën të domosdoshëm një marrëveshje politike me partitë e tjera.

Takimet e para nuk prodhuan ndonjë rezultat, pritet që ditëve në vijim të shihet nëse do të ketë ndonjë lëvizje, apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të reja dhe sërish për arsyen e njëjtë: Presidentin.