Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, pa autorizimin e partisë, ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për kryetar të kësaj komune, Sylejman Meholli, i cili më 9 nëntor do të përballet në balotazh me Ferit Idrizin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, që u zhvillua në Kalanë e Qytetit, mori pjesë edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, por nga LDK nuk ishte i pranishëm askush.

Sipas informacioneve të siguruara nga VOX, vendimi është personal i Tahirit dhe nuk është miratuar nga Kryesia Qendrore.

“Kryesia Qendrore nuk e ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para certifikimit të rezultateve zgjedhore”, kanë thënë zyrtarë të LDK-së.

“Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas statutit të LDK-së”

Megjithatë, në dokumentin e marrëveshjes figuron edhe logoja zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në fjalimin e tij pas nënshkrimit, Tahiri ka folur në emër të degës së LDK-së në Vushtrri dhe të asamblistëve të saj.

“Në emrin tim, në emër të kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri dhe të asamblistëve që janë këtu me ne, më lejoni t’ju falënderoj për prezencën tuaj sot. Ky koalicion, kjo marrëveshje, nuk është kundër askujt – është marrëveshje për qytetin dhe qytetarët e Vushtrrisë. Në vitin 2017, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur ndryshimin në Vushtrri. Sot, LDK e kthen këtë mbështetje, me qëllim që të vazhdohet ndryshimi i domosdoshëm në qytetin tonë”, tha ai.

Ndërkaq, Albin Kurti tha se marrëveshja është “për punë të mbara në Vushtrri”, por në fjalimin e tij, sipas videove të shpërndara, nuk përmendi LDK-në.

“Të punojmë jo për çdo ditë, por për çdo orë, që këtë marrëveshje për bashkëqeverisje ta realizojmë pas 9 nëntorit me kryetarin Sylejman Meholli dhe me drejtorët që do të bëjnë punë të mbara e të mira për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë pa dallim,” deklaroi Kurti.

Në balotazhin e 9 nëntorit, Meholli i VV-së do të përballet me Ferit Idrizin e PDK-së.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, Idrizi mori 45.33 për qind (13,672 vota), Meholli 30.77 për qind (9,281 vota), ndërsa Tahiri u rendit i treti me 19.81 për qind (6,976 vota).