Pas një muaji e gjysmë përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor të martën – më pak se dy orë para afatit të vendosur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas të cilit ai kishte premtuar se do të shkatërronte “një civilizim të tërë”.
Ky kërcënim, për të cilin kritikët paralajmëruan se mund të përbënte krim lufte nëse zbatohej, duket se është shmangur për momentin në çastin e fundit. Megjithatë, mbetet një hendek i madh mes dy vendeve, të cilat secila e paraqitën armëpushimin e përkohshëm si fitore për vendin e tyre.
Armëpushimi është një pikënisje për negociata të mëtejshme, dhe mbetet të shihet se cilat kushte përfundimtare mund të përfshihen në një marrëveshje që do t’i japë fund përfundimisht luftës që ka tronditur Lindjen e Mesme dhe ka shkaktuar një çrregullim historik në tregun global të naftës.
Ja çfarë dimë.
Çfarë kanë thënë SHBA dhe Izraeli?
Trump njoftoi armëpushimin në një postim në Truth Social, duke thënë se ai u arrit me kusht që Irani të pranojë rihapjen e Ngushtiës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore.
Ai tha se armëpushimi u ndërmjetësua nga kryeministri i Pakistanit dhe shefi i ushtrisë së tij. Sipas Trump, Irani kishte paraqitur një propozim me 10 pika, të cilin SHBA e konsideron si “bazë të zbatueshme për negociata”.
Dy javët e ardhshme do të shërbejnë për hartimin e një marrëveshjeje përfundimtare, shtoi ai.
Në një intervistë për AFP, Trump e përshkroi marrëveshjen si “fitore totale dhe e plotë”. Megjithatë, ai nuk pranoi të thoshte nëse do të zbatonte kërcënimet e mëparshme për të shkatërruar infrastrukturën civile të Iranit nëse Teherani tërhiqet nga marrëveshja, duke u përgjigjur vetëm: “Do ta shihni”.
Në një postim tjetër pas mesnatës, ai tha se SHBA do të “ndihmojë me qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit”, duke shtuar: “Do të bëhen shumë para”.
Burime amerikane i thanë CNN se administrata Trump po përgatitet për negociata të mundshme ballë për ballë, me gjasë në Islamabad, ku kryeministri i Pakistanit ka ftuar të dyja palët të dërgojnë delegacione.
Izraeli është pjesë e armëpushimit dhe do të ndalojë gjithashtu bombardimet ndaj Iranit, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, ajo deklaroi se Libani nuk është pjesë e armëpushimit – në kundërshtim me atë që tha kryeministri i Pakistanit. Trump nuk e përmendi Libanin në deklaratën e tij.
Çfarë ka thënë Irani?
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se nëse ndalen sulmet ndaj Iranit, edhe operacionet iraniane do të ndalen.
Ai shtoi se ushtria iraniane do të koordinojë kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë armëpushimit.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se Irani dhe Omani planifikojnë të vendosin tarifa tranziti për anijet që kalojnë nëpër ngushticë gjatë armëpushimit, me fondet që do të përdoren për rindërtim.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit, organi më i lartë i sigurisë në vend, dha një deklaratë më të ashpër, duke thënë se e kishte detyruar SHBA-në të pranonte planin e tij me 10 pika dhe e përshkroi armëpushimin si “humbje të qëndrueshme” për Uashingtonin.
Ai gjithashtu përmendi mundësinë e bisedimeve në Islamabad, duke paralajmëruar se “çdo gabim, sado i vogël, nga ana e armikut do të përballet me forcë të plotë”.
Cilat janë kushtet e marrëveshjes?
Araghchi tha se ndërsa Uashingtoni ka pranuar “kornizën e përgjithshme” të propozimit iranian me 10 pika si bazë për negociata, Irani po shqyrton një propozim amerikan me 15 pika.
Detajet e plota të planit amerikan nuk janë publikuar, por besohet se përfshijnë: angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore, dorëzimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, kufizime në kapacitetet mbrojtëse të Teheranit, ndalimin e grupeve rajonale aleate dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Po ashtu, në tryezë janë edhe njohja e së drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
Irani e kishte refuzuar më parë këtë plan, duke e quajtur “kryesisht të tepruar, jorealist dhe të paarsyeshëm”.
Ndërkohë, detaje nga propozimi iranian përfshijnë: rregullimin e kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndalimin e sulmeve ndaj Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë, tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni, kompensime për Iranin, heqjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe zhbllokimin e aseteve, si dhe një rezolutë detyruese të OKB-së për të garantuar paqen.
Versione të publikuara nga media shtetërore iraniane sugjerojnë gjithashtu se SHBA ka rënë dakord në parim për të pranuar të drejtën e Iranit për pasurim bërthamor.
Në intervistën për AFP, Trump tha se uraniumi iranian do të “menaxhohej në mënyrë perfekte, përndryshe nuk do të kisha rënë dakord”.








