Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, të cilit i ka kërkuar angazhim të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, të cilat, siç thotë ajo, janë sfiduar me pezullimin e Dialogut Strategjik.
Jahjaga është takuar me Obamën në margjinat e samitit global në Erie, Pensilvani, me ftesë të The Jefferson Educational Society, ku do të flas për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit të saj si Presidente e Kosovës.
“E falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA dhe Kosovës, te cilat janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik se fundmi”, shkroi Jahjaga në Facebook.
Ajo ka kërkuar nga Presidenti i 44-të i SHBA-ve edhe ndihmën dhe përkrahjen e tij në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, shtoi.
Ndryshe, para disa ditësh, ambasada e SHBA-ve në Kosovë njoftoi se kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.