Protestuesit kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shkuar të Ministria e Drejtësisë, ku i kanë kërkuar Ministres Donika Gërvalla që ta procedojë ligjin për Dhomat e Specializuara. Ata kanë thënë se Gërvalla e ka në tavolinë dinjitetin e kombit.

“Prej Qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrie, te Ministrja Donikë. I kërkojmë sonte këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK-së. Ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë. E ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…”, ka thënë Çlirim Haziri, organizator i protestave.

Në natën e 17-të të protestës, protestuesit për gjysmë ore qëndruan në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë protestuar për çdo natë, ndërsa më pas u nisën për te Ministria e Drejtësisë.

Para objektit të dikasterit që e udhëheqë Gërvalla, protestuesit brohoritën “marre, marre”, dhe hodhën edhe disa mjete piroteknike, si shenjë revolte ndaj indiferencës së Ministres.

Që nga 16 shtatori, dita kur Specialja dënoi krerët e UÇK-së, shqiptarët janë duke protestuar për çdo ditë në Prishtinë.

Përveç në Kosovë, protestat janë shtrirë edhe në vende të tjera të botës, si në shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  e Australi.

Specialja dënoi me 25 vjet burgim Hashim Thaçin, po me 25 Jakup Krasniqin, me 18 Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin.