Sipas afatit kohor të paraparë prej 90 ditësh për nxjerrjen e verdiktit, nga 18 shkurti, kur edhe u mbyll procesi, deri më tash kanë kaluar 40 ditë.

Nëse ky afat 90-ditor mjafton, atëherë pritet që deri më 19 maj të jepet vendimi i gjyqtarëve.
Sipas rregullave në Speciale, nëse këto 90 ditë nuk mjaftojnë, paneli i gjyqtarëve mund të kërkojë edhe 60 ditë të tjera kohë, shkruan VOX Kosova.

Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori 2020.

Ata kanë kaluar rreth dy vjet e gjysmë në proces paraprak gjyqësor dhe rreth tre vjet në dëgjimin e seancave.

Procesi i tyre është ndër më të gjatët dhe ata asnjëherë nuk janë liruar për t’u mbrojtur në liri.

Gjatë gjithë kohës, ai është përcjellë me kritika të mëdha dhe serioze, përfshirë pretendime për gjykim ndaj tërë UÇK-së, shkelje flagrante të të drejtave të njeriut për shkak të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe gjykimit, zhvillim të seancave të mbyllura, përdorim të provave të pafiltruara nga Serbia, si dhe pyetje nga gjyqtarët që cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë.