Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut pritet që të mbahet më 19 tetor. Kështu ka thënë kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski.
Këto komente, ai i ka bërë duke iu përgjigjur kritikave të partisë kryesore opozitare në Maqedoni të Veriut, LSDM-së, në lidhje me qeverisjen e tij.
“LSDM ka retorikën e saj, ka komunikimin e vet politik. Unë nuk do ta komentoja. Të presim të vijë 19 tetori, në ora 20:00, do t’i dëgjoni rezultatet dhe gjithçka do të jetë e qartë”, iu përgjigj Mickoski me ironi opozitës, e cila po e akuzon atë për keqmenaxhim të shtetit.
Në Maqedoni të Veriut, në kampin maqedonas, gara kryesore është në mes të VMRO-DPMNE-së – partisë që ka pushtetin – dhe LSDM-së. Ndërsa, në kampin shqiptar gara do të jetë mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koalicionit “VLEN” – përfaqësuesit e shqiptarëve në qeveri.
Zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni të Veriut janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Shumicën dërrmuese të komunave maqedonase e kishte fituar VMRO-DPMNE-ja. Kjo fitore e opozitës së atëhershme, e kishte shtyrë kryeministrin Zoran Zaev – nga radhët e LSDM-së – që të jepte dorëheqje.
Te komunat shqiptare, fituese e pjesës më të madhe kishte qenë BDI-ja e Ali Ahmetit.









