Nëse keni menduar se me mbylljen e gjykimit më 18 shkurt 2026 në procesin kundër krerëve të UÇK-së përfunduan edhe manovrat e prokurorisë për ta devijuar e manipuluar rastin, keni gabuar.

Prokuroria Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin prej katër të akuzuarve, ka vazhduar edhe gjatë muajit mars të dorëzojë materiale e prova shtesë, e që ngjan si një përpjekje e minutës së fundit për të trashur dosjen dhe për t’ia mbushur disi mendjen trupit gjykues për dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ky veprim bie ndesh me kërkesat dhe udhëzimet e trupit gjykues të dhëna ditën kur u mbyll gjykimi.

Charles Smith, Kryetar i Panelit të Gjyqtarëve – 18 shkurt 2026:

“Para se ta mbyll çështjen, ua rikujtoj palëve dhe pjesëmarrësve se, në përputhje me Rregullin 136, në këtë fazë nuk mund të bëhen paraqitje apo të dorëzohen prova të mëtejshme para Panelit, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe me paraqitjen e arsyeve të bazuara. Kjo, natyrisht, nuk përfshin çështje që duhet të rishikohen rregullisht, siç është paraburgimi”.

Me një shkresë urgjente, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kundërshtoi këto veprime të prokurorisë, duke theksuar se ato shkelin Rregullin 136 dhe gjithashtu rekomandimet e panelit të gjyqtarëve.

Sipas mbrojtjes, organi i akuzës nuk ka dëshmuar se dorëzimi i këtyre materialeve përbën një rast të veçantë dhe të pranueshëm sipas këtij rregulli.

Në përgjigjen e saj ndaj mbrojtjes, prokuroria ka injoruar qëndrimin e trupit gjykues dhe Rregullin 136.

Në vend të respektimit të këtyre kufizimeve të qarta procedurale, ajo pretendon se ka detyrë të vazhdueshme për të paraqitur materiale dhe se, sipas saj, “paneli vazhdon të ketë një interes legjitim në mbikëqyrjen e këtij procesi”.

Procesi kundër krerëve të UÇK-së u mbyll më 18 shkurt, dhe sipas afatit kohor prej 90 ditësh për nxjerrjen e verdiktit, pritet që vendimi i gjyqtarëve të jepet deri më 19 maj.

Për Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjatë shqyrtimit të provave për marrjen e vendimit…

Michael Doyle, Zëdhënësi i Gjykatës Speciale 26 mars 2026:

“Gjyqtarët janë të detyruar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur”.

Por duket se veprimet e prokurorisë janë një tentativë e hapur për të manipuluar procesin në favor të saj, duke rrezikuar kështu besueshmërinë e vendimmarrjes dhe duke minuar të drejtat themelore të të akuzuarve. Në këtë mënyrë, veprimet e prokurorisë duket se kanë qëllim të imponojnë një rezultat me çdo kusht, edhe në dëm të drejtësisë.

Dhe nuk ka se çfarë të pritet ndryshe nga një prokurori që, për gati gjashtë vjet, hartoi dhe mbrojti një çështje që kriminalizonte krejt UÇK-në, u furnizua me prova nga Serbia, fshehu provat shfajësuese dhe, në mënyrë skandaloze, përqeshi dhe tentoi të minimizojë dëshmitë pro-mbrojtjes të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, si Wesley Clark, James Rubin dhe Christopher Hill.