Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka hedhur poshtë propozimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për tre emra opozitarë për karrigen e Presidentit deri nesër në mesnatë, duke e quajtur manovër politike.
“Propozimet e radhës, apo manovrat e radhës politike të zotit Kurti, me qëllim që veç me gjet faj edhe fajtorë, për me ia adresuar mosaftësinë e tij për me i dhënë vendit institucione”, ka deklaruar Hamza para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Hamza ka thënë se për të dhe partinë e tij çështja e presidentit është e mbyllur, pasi sipas tij “përkundër vullnetit konstruktiv, me qëllim që vendi të ketë institucione, stabilitet institucional e politik, nuk kemi pa mirëkuptim nga zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”.
Më herët gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate për media propozoi që partitë opozitare, PDK dhe LDK, të nxjerrin tre emra konsensualë pas të cilëve kandidaturat e VV-së deri tash: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku do të tërhiqeshin nga gara.









