Prokuroria dhe gjyqtarët në Gjykatën Speciale kishin para vetes dhjetëra dokumente që e vërtetonin taktikën e kahmotshme dhe përsëritëse të Serbisë për të manipuluar provat, për të fshehur krimet e veta dhe për të akuzuar e njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por, zgjodhën të mbyllin sytë e veshët dhe pranuan në shqyrtim mbi 2,300 dokumente nga autoritetet në Beograd në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Një shembull i tmerrshëm se si Serbia kishte tentuar të manipulonte krejt botën për krimin e saj të orkestruar shtetëror ishte Masakra e Reçakut.

Gazeta prestigjioze amerikane, Washington Post, në një artikull të saj më 27 janar 1999, raportonte për disa përgjime mes zëvendëskryeministrit serb Nikola Sainoviq dhe Sreten Lukiq, shef i Shtabit të Policisë së Serbisë për Kosovën.

Në ato biseda, Sainoviqi dhe Lukiqi koordinoheshin për planin e aksionit në Reçak.

Derisa krisma e mitralozëve jehonte nëpër kodrat që rrethonin fshatin, Sainoviqi — i cili ishte njeri i besuar i kriminelit Millosheviq — e telefonoi Lukiqin nga Beogradi për të pyetur se sa njerëz ishin vrarë.

Lukiqi i ishte përgjigjur se, në atë moment, numri ishte 22.

Kur sulmi përfundoi dhe masakra tronditi botën demokratike, Sainoviqi dhe Lukiqi diskutonin se si ta manipulonin krejt ngjarjen.

Një masë që Sainoviqi e mbështeti në telefonatat e tij ishte mbyllja e kufirit të Kosovës me Maqedoninë, për të penguar hetuesit e OKB-së për krimet e luftës që të hynin në Kosovë.

Një plan tjetër ishte që policia serbe ta rimerrte kontrollin e vendit të vrasjeve dhe t’i merrte trupat.

Forcat serbe ndërmorën një sulm të dytë ndaj fshatit më 17 janar dhe të nesërmen i morën trupat nga xhamia e fshatit për t’i transferuar në morgun në Prishtinë.

Manovra e radhës ishte që vrasjet t’i atribuoheshin një grupi të pavarur të armatosur, i cili gjoja kishte ardhur në rajon dhe kishte sulmuar banorët e Reçakut pasi trupat serbe ishin larguar.

Washington Post raporton se zyrtarët qeveritarë serbë pretenduan se disa prej viktimave ishin vrarë qëllimisht nga luftëtarët e UÇK-së për të provokuar reagim ndërkombëtar.

Kjo narrativë e Serbisë ka vazhduar për dy dekada dhe është mbështetur, për fat të keq, nga disa që i thonë vetes shqiptarë.

Këtë artikull, por edhe prova të tjera të manipulimit të ngjarjeve nga Serbia, e kishin në Gjykatën Speciale.

Nga mbrojtja, përmes një shkrese të gjatë e mirëdokumentuar, prokuroria dhe gjyqtarët e dinin për manipulimin me rastin Panda në Pejë – një krim që e kreu shteti serb për t’ia veshur UÇK-së.

Specialja e dinte se shumë prej dëshmive serbe në Tribunalin për Ish-Jugosllavinë, e që ishin dërguar edhe në Speciale, ishin rrëzuar sepse ato ishin manipuluar, duke marrë dëshmi nën tortura çnjerëzore nga të burgosur shqiptarë, apo nga njerëz që jepnin akuza të rreme për UÇK-në për qëllime përfitimi monetar.

E dinin dhe se si Serbia, duke e parë që një pjesë e armatimit të UÇK-së ishte prodhim kinez, filloi të përdorte pikërisht prodhimin e njëjtë të armëve në vrasje e masakra, vetëm e vetëm për ta njollosur UÇK-në.

Për vite me radhë Serbia është përpjekur të manipulojë prova, të fshehë krimet e veta dhe t’ia atribuojë UÇK-së. Më 16 shtator gjyqtarët në Speciale kanë ditën e tyre që të dëshmojnë nëse do të rreshtohen me të vërtetën e Kosovës, NATO-s dhe Amerikës, apo përmes dokumenteve të manipuluara serbe do të tentojnë ta manipulojnë të vërtetën.

Kosova po pret.