Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, iu bashkua protestës në Hagë në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër devijimeve në Gjykatën Speciale.
Ai u shpreh se, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kishte mbështetur themelimin e kësaj gjykate, por më vonë doli kundër saj duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohej procesi gjyqësor.
Në një fjalim që u prit me entuziazëm nga mijëra të pranishëm, Bosch tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë kishin kërkuar presion për krijimin e kësaj gjykate, por ai vetë nuk e kishte përkrahur idenë, sepse i dukej e pakuptimtë të mos akuzoheshin serbët.
“Më kujtohet një takim me Thaçin, i cili dukej pak i shqetësuar. I thashë se nëse nuk ka prova, do të ishte i lirë. Por doli se isha gabim, sepse gjyqi nuk rezultoi aq serioz sa prisja,” tha Bosch.
Ai shtoi se edhe hetimi i Clint Williamson konfirmoi se raporti i Dick Marty-t ishte i manipuluar ndaj serbëve.
“Gjyqtarët që janë këtu janë sigurisht shumë të lumtur të jenë në Hagë, të kenë jetë të bukur dhe paga të mira, dhe e shtyjnë procesin vazhdimisht. Ata tashmë kanë arritur në përfundimin se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale. Kjo është totalisht marrëzi, dhe dua t’ju shpjegoj pse.
Në vitin 1999, unë isha pika kontakti mes Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kisha përgjegjësi të raportoja çfarë po diskutohej nga NATO. Çfarë thamë çdo mëngjes atje ishte se UÇK-ja ishin ‘çizmet e NATO-s në tokë’. Të quash UÇK-në një organizatë kriminale, ndërkohë që bashkëpunon me NATO-n, është një ofendim edhe për NATO-n, sepse NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale.,” përfundoi ai para mijëra të pranishmëve.