Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë të martën, teksa po shkonte në Kuvend për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit, se “deputetët e opozitës e kanë obligim kushtetues të vijnë dhe të marrin pjesë”.

Por ajo që thotë Kurti nuk është e vërtetë.

Në vendimin që Kushtetuesja shpalli në lidhje me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, thuhet se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Në pikën 175 të vendimit thuhet se “në lidhje me mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta, në nenin 70 [Mandati i Deputetëve], përcakton që deputetët, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues…”.

Të njëjtën gjë u përpoq ta bëjë edhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke harruar të citojë aktgjykimin e Kushtetueses.

Kurti dhe zyrtarë të tjerë të VV-së edhe më herët, gjatë diskutimeve për presidentin, përdornin të njëjtin diskurs.