Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke vazhduar hetimet në lidhje me manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë, që përfshijnë grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
“Pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve, në Prizren”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Hetimet, siç theksohet, kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale “të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Në lidhje me manipulimin e votave, në Prizren, të premten e kaluar u ndaluan 109 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë fenomen, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim. Po ashtu, edhe në Malishevë të mërkurën u ndaluan 15 persona, ndërsa u intervistuan edhe 43 të tjerë.









