Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka urdhëruar Hetimet Rajonale që të intervistohen 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të komunave: Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan në lidhje me manipulimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit nëpër këto komuna.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Hetimet Rajonale – Jug dhe Veri të Policisë së Kosovës, që të intervistohen dyzetë e tre (43) kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të Komunave, për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit me vota”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Prokuroria dhe Policia theksohet se mbeten të përkushtuar “në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”.