Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e provave lidhur me manipulimin e votave në Podujevë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Gjatë këtij procesi, thonë se ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në këtë komunë.
Prokuroria dhe Policia theksojnë se mbeten të përkushtuar “në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin”.









