Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar të mërkurën se pas intervistimit të disa personave të dyshuar për manipulim të votave në Obiliq i ka liruar në procedurë të rregullt.

Në njoftim theksohet se hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Mëngjesin e së mërkurës, edhe Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se ka nisur hetimet në lidhje me dyshimet për manipulimin e votave.

Pasi që rinumërimi i votave shpërfaqi manipulime tek votat e kandidatëve për deputetë brenda partive, Prokuroria nisi hetimet për këtë fenomen, duke intervistuar e ndaluar komisionerë edhe në qytete tjera, si në Prizren, Malishevë, Mitrovicë e Viti.