Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetimet lidhur me manipulimin e votave në Komunën e Suharekës.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Këto veprime të Prokurorisë vijnë pasi që rinumërimi i votave konstatoi manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.
Deri më tani, janë intervistuar qindra komisionerë nga disa qytete të Kosovës, një pjesë e të cilëve janë ndaluar nga organet e rendit.









