Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur intervistimin e anëtarëve në Qendrën e Numërimit  dhe Rezultateve (QNR) për Qendrën Komunale në Drenas.

Nga organi i akuzës kanë njoftuar se këto veprime po ndërmerren lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do  t’i  ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Në lidhje me manipulimin e votave, edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka nisur hetimet në Dragash.

“Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Dragashit. Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Këto veprime të Prokurorisë vijnë pasi që rinumërimi i votave konstatoi manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.

Deri më tani, janë intervistuar qindra komisionerë nga disa qytete të Kosovës, një pjesë e të cilëve janë ndaluar nga organet e rendit.