Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës, ka thënë se komisionerët që kanë keqpërdorur votën qytetare sipas tij nuk kanë amnisti, ndërsa ka bërë thirrje ndaj institucioneve për hetime “deri në fund”, në reagimin e tij të parë ndaj dyshimeve për manipulime votash në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, shkruan kryeministri në detyrë në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Kurti ka deklaruar po ashtu se Republika e Kosovës është një shembull i demokracisë për zgjedhje në të gjithë rajonin e se adresimi i dyshimeve për manipulim është jetik për integritetin e procesit.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, ka potencuar Kurti.
Gjatë rinumërimit të votave deputetë nga të gjitha partitë e vendit, pra edhe nga Vetëvendosja, kanë dalë me vota theksueshëm më pak se nga numërimi fillestar. Kurti është lideri i fundit që reagon ndaj këtyre zhvillimeve.
Ndërkaq, Faton Peci, kryetar i Komunës së Mitrovicës nga radhët e VV-së, në mesin e këtyre zhvillimeve shpërbleu me postin e nënkryetarit Enis Osmanin, këshilltarin e tij politik që në vitin 2017 ishte dënuar për manipulim votash.
Kujtojmë se dje, më 23 janar, 150 persona janë ndaluar gjatë një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës në Prizren, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit nacionale.









