Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka intervistuar 51 persona lidhur me manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Dragash.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar pesëdhjetë e një (51) të dyshuar”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
9 prej tyre, pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, “në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par.2 të KPRK-së”.
Në njoftim theksohet se Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.









