Prokuroria Themelore në Gjakovë ka intervistuar 17 persona të dyshuar për manipulim të votave në Rahovec, 9 prej të cilëve janë ndaluar për 48 orë dhe për ta organi i akuzës ka kërkuar paraburgim.

“Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kryesues. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 9 (nëntë) kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

Këto veprime të Prokurorisë vijnë pasi që rinumërimi i votave konstatoi manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.

Deri më tani, janë intervistuar qindra komisionerë nga disa qytete të Kosovës, një pjesë e të cilëve janë ndaluar nga organet e rendit.