Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë 7 kryesues lidhur me manipulimin e votave në Klinë.
“Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Prokuroria dhe Policia theksohet se mbetet e përkushtuar “për ruajtjen e integritetit të votës së lirë të qytetarëve, ndjekjen e personave që dyshohen për përgjegjësi penale dhe ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Këto veprime të Prokurorisë vijnë pasi që rinumërimi i votave konstatoi manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.
Deri më tani, janë intervistuar qindra komisionerë nga disa qytete të Kosovës, një pjesë e të cilëve janë ndaluar nga organet e rendit.









