Në një aksion të Prokurorisë së Prizrenit dhe Policisë së Kosovës, është arrestuar djali i vëllaut të kandidatit për deputet të PDK-së, Fetah Paçarizit. Ai është ne mesin e rreth 150 personave të ndaluar sot nga organet e rendit nën dyshimet për manipulim me vota. Sipas raportimit nga “Betimi për Drejtësi”, ai u arrestua për presion dhe ryshfet, vepra penale të cilat dyshohet se kanë ndikuar në procesin e votimit.

VOX Kosova raportoi sot gjithashtu se në mesin e të ndaluarve është edhe djali i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, të cilit, pas rinumërimit, i dolën mijëra vota më tepër sesa realisht kishte në kuti të votimit.

Siç kupton VOX-i, të gjithë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

Ky aksion i Policisë, që është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, vjen disa ditë pasi që organet e rendit autorizuan mbledhjen e provave, duke qenë se rinumërimi i pjesshëm i votave shpërfaqi manipulimet të votave të kandidatëve për deputetë.

Aktualisht, kur janë rinumëruar mbi 50 për qind e votave, Fetah Paçarizit i janë hequr 6 mijë e 752 vota, që nënkupton se të njëjtat i ishin shtuar gjatë numërimit të parë.