Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se deklarimi i kursimeve prej 16 euro e 41 centë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “është arrogancë dhe manipulim i realitetit”.

“Shifra e kursimeve të kryeministrit nuk është një shifër që ngjall një pasiguri për të, që ngjall ndjenjën e solidaritetit, që të bën të bashkëndjesh, që gjeneron keqardhje. Është një hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare e që shtiret që jeta e tij është e vështirë dhe s’po ankohet. Manipulimi është karakteristikë e rrezikshme dhe e dëmshme e secilit udhëheqës. Dhe 16 euro e 41 centë është moment klasik i manipulimit të varfërisë, nga një njeri që nuk jeton në varfëri, por sillet si i tillë”, tha deputeti i PDK-së.

“Ti je një njeri që nuk ke punu për mbijetesën financiare tane. Nuk e di se çka do të thotë me u refuzu nga puna, as me lypë punë. Ti je njeri që ke jetuar, je ushqyer me para të të tjerëve”, shtoi.

Ismaili tha se realiteti i kryeministrit Albin Kurti “është shtëpia e madhe, me qira të ulët, e rrethuar me 20 policë e me veturat më të mira të Qeverisë”.

Në deklarimin vjetor të pasurisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka paraqitur vetëm 16 euro e 41 centë në llogarinë e tij bankare, pavarësisht faktit se bashkë me bashkëshorten e tij ka të ardhura vjetore mbi 70 mijë euro.