Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se vota e qytetarëve është e shenjtë dhe se çdo manipulim shkel parimet e demokracisë.
Këto komente, PDK-ja i ka bërë përmes një komunikate për media, pasi që pas rinumërimit të pjesshëm të votave u konfirmua se ka pasur manipulim të votave të kandidatëve për deputetë nga e njëjta parti. Tek PDK-ja ky fenomen ka ndodhur më së shumti.
Nga PDK kanë theksuar se po e përcjellin me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.
“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë”, kanë thënë ata.
“Standardi ynë është i qartë”, theksojnë nga PDK, “dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve”.
“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve”.
PDK i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, “me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”.
Nga ky subjekt politik deklaruan se rikonfirmojnë përkushtimin “e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve”.









