Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë mbledhjen e radhës sot (e hënë). Aty do të diskutohet për rezultatet nga rinumërimi i votave.
“Ju njoftoj se sot (e hënë, 19 janar 2026, ora 13:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend dite është raporti nga procesi i rinumërimit të deritashëm të vendvotimeve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Kjo mbledhje vjen në një kohë kur rinumërimi i pjesshëm ka shpërfaqur manipulimet me vota ndërmjet kandidatëve të së njëjtës parti. Kjo dukuri më shumti është vërejtur në Prizren. Një kandidati të PDK-së, Fetah Paçarizit, i janë hequr mbi 6 mijë vota nga rinumërimi.
Pasi që u konstatuan manipulimet, kandidatë për deputetë, kryetarë partish dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave, çështje që pritet të diskutohet në mbledhjen e sotshme.
Në lidhje me manipulimet me votat e kandidatëve për deputetë, Prokuroria e Prizrenit ka nisur hetimet.
Më 13 janar, KQZ kishte vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve. Në 10 komuna do rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve – Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Në 28 komunat të tjera, do rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve – Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.









