Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçin, të cilin ai dhe partia e tij kishin refuzuar që ta përkrahnin për President të Kosovës.

Në tetë (8) vjetorin e ndarjes së Demaçit nga jeta, Kurti i shkoi për vizitë te varri i tij dhe e quajti atë “sinonim të qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët”.

Por, sa ishte gjallë, Demaçi nuk ishte përkrahur për t’u bërë President nga Lëvizja Vetëvendosje dhe vetë Albin Kurti.

Në një intervistë për Gazetën Express, më 28 tetor të vitit 2011, ballina e së cilës mbante titullin “Nuk më donin”, Demaçi tregonte se Lëvizja Vetëvendosje ishte bërë pengesë që ai të mos bëhej President i Kosovës.

“Këta kanë qenë pengesë dhe nuk kanë propozuar asgjë. Ata që kanë propozuar, kanë kërkuar që unë të jem President. Dhe ata (Vetëvendosje) kanë refuzuar dhe e kanë fituar kontestin, e u bë qysh deshën ata”, kishte thënë Demaçi.

Për këtë pozitë, Demaçi ishte propozuar nga një grup qytetarësh që jetojnë në Amerikë dhe kishte marrë pëlqimin e Partisë Demokratike të Kosovës, por mbështetje nuk i kishte ofruar partia opozitare që udhëhiqej nga Albin Kurti.

Propozimi për Demaçin kishte ardhur pasi që Behgjet Pacolli ishte larguar nga pozita e Presidentit për shkak se Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se procesi i zgjedhjes së tij në krye të shtetit ka qenë antikushtetues.

Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare të Kosovës, kishte mbajtur 28 vjet burg në kohën e regjimit të Jugosllavisë.

Në dhjetor të vitit 1991, Parlamenti Evropian i dha Demaçit çmimin Sakharov për qëndrimin e tij parimor kundër një “regjimi autoritar dhe jotolerant”.

Demaçi, i njohur si “Mandela i Ballkanit”, vdiq në Prishtinë, në korrik të vitit 2018, në moshën 82-vjeçare.

Presidenti i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, kishte shpallur 3 ditë zie kombëtare për vdekjen e tij.