Përparim Rama ka nisur zyrtarisht mandatin e tij të dytë në krye të Prishtinës. Ai u betua të martën në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal.

Rama ka thënë se do t’i kryejë detyrat si kryetar “me nder, besnikëri në mënyrë te paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”.

“Prishtina foli dhe ky besim për mua është vazhdim i përgjegjësisë dhe motivit. Është zotim për të vazhduar punën me besim të palëkundur. Ju faleminderit që na keni besuar drejtimin e qytetit tonë”, tha Rama.

Në këtë mandat, ai theksoi se po hyjnë me vendosmëri për t’i përfunduar projektet kapitale “për të vazhduar investimet në arsim e shëndetësi, në zhvillim rural dhe në të gjithë sektorët që prekin cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”.

Kryetari potencoi se mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu siç e  kanë merituar qytetarët. Ai pohoi se “ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht vonesa e pengesa dhe prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët”.

“Uroj që këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike. Secili prej nesh jemi të votuar për t’i shërbyer qytetarëve, e jo partive politike. Prandaj, e kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetin. Por, të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë”, shtoi ai.