Në një konferencë të rrallë për media – ngjarje që zakonisht i shmang – kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të nisë komunikimet për formimin e qeverisë së re.
Dy ditë më parë, ai ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe i kanë mbetur edhe 13 ditë për të propozuar përbërjen e kabinetit qeveritar.
“Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultateve zgjedhore, por shumë shpejt, qysh këtë javë, do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për Qeverinë qendrore,” ka deklaruar Kurti.
Ai nuk ka dhënë detaje se me cilat parti apo deputetë synon bashkëpunim.
Sipas tij, Kosovës i duhet një mandat i ri qeverisës.
“Kosovës i duhet edhe një mandat i Qeverisë sonë; i duhet një mandat i ri, në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit të këtij viti. Unë, si kryeministër në detyrë, tashmë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit katërvjeçar dhe duhet të kemi një mandat të rregullt, i cili pa dyshim do të fillojë posa ta paraqesim në Kuvend përbërjen e re të Qeverisë ‘Kurti 3’,” ka deklaruar ai.









