Kryeministri në detyrë, njëherit Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse partia që ai drejton do ta dërgojë emrin e mandatarit te Presidentja, Vjosa Osmani dhe nëse do të jetë ai mandatari.
“Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën”, ka thënë Kurti për gazetarët, pasi që është pyetur se a do ta dërgojë VV-ja emrin e mandatarit te presidentja.
VV-ja e ka shpallur të përfunduar procesin e konstituimit të Kuvendit, ndonëse nënkryetari nga radhët e komunitetit jo shumicë serb nuk është zgjedhur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në seancën e së shtunës ka thënë se konstituimi i Kuvendit konsiderohet i mbyllur edhe pse një nënkryetar nuk është zgjedhur.
Nga ana tjetër, opozita dhe njohës të çështjeve kushtetuese kanë thënë se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve nuk mund të konsiderohet i konstituuar Kuvendi. Ndërsa, Presidentja Osmani ka thënë se ekipi ligjor i saj është duke e analizuar këtë proces.