Liderët e partive politike do të takohen sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë së re.
Kjo ftesë e Osmanit vjen pasi që Albin Kurti, i cili u mandatua nga Presidentja më 11 tetor të krijuar Qeverinë si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, dështoi në seancën e së dielës që t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të marrë drejtimin e qeverisë për herë të tretë.
Në takim do të marrin pjesë, Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai i AAK-së, Fatmir Limaj dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj.
Ata do të japin qëndrimin e tyre nëse janë në favor të një shumice të re, apo për zgjedhje të reja.
Në rast se as në përpjekjen e dytë nuk zgjidhet qeveria, e para vendit duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Partitë politike në vend: Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë duket se janë përcaktuar për zgjedhje të reja.
Në një konferencë për media të hënën, një ditë pasi që dështoi ta formojë qeverinë e re, Kurti tha se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme, pasi që sipas tij, ai “refuzon ta shtrembërojë rezultatin e zgjedhjeve”.
“Angazhohemi që të punojmë që ta zhvillojmë shtetin e jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi natyrisht siç e pamë nga dita e djeshme nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja”, tha Kurti.
Madje, ai paralajmëroi se mund të ketë dy palë zgjedhje parlamentare radhazi – në dhjetor dhe në pranverë, atëherë kur i skadon mandati Presidentes Osmani.
“Është për të ardhur keq që do të mund të kemi përveç balotazhit, edhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një Qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi vetëm katër muaj deri të zgjedhja e Presidentit”, shtoi.
Edhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur në favor të zgjedhjeve. Në një konferencë për media pas dështimit të Kurtit për të bërë qeverinë, Krasniqi theksoi se partia që ai drejton nuk do të tentojë që të tentojë që ta krijojë Qeverinë, derisa shtoi se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt.
“Nëse na fton nesër Presidentja, pyetja e saj do të jetë ‘a keni shumicë të re’, unë do t’i përgjigjem menjëherë që jo dhe nuk do të tentojmë ta bëjmë një shumicë të re, sepse një gjë e tillë nuk është e mundur”, tha Krasniqi.
“Tash është evidente, Albin Kurti jo se jo është ditur, por sot u vërtetu që s’ka shumicë, por edhe ne partitë tjera duke filluar nga PDK-ja si parti e dytë, nuk kemi shumicë që fatkeqësisht i bie që duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme sa më parë”, shtoi.
Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe LDK-ja. Deputetja nga radhët e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë se pas dështimit të formimit të Qeverisë, vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Përkundër faktit që ata me dhjetëra herë, këtu pikërisht në këtë vend, kanë potencuar se le të formohet Kuvendi se mandej i kanë numrat e Qeverisë, ajo çfarë po ndodh sot dhe çfarë në fakt ndodhi sot, është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Bajrami të dielën.
Në seancën e së dielës, Kurti dhe kabineti që ai e propozoi ka marrë 56 vota për, ndërsa 52 ishin kundër dhe 4 abstenuan.









